RTSH 24 Live

Amerika

Trump padit Prokuroren e Përgjithshme për t’i dhënë fund hetimit ndaj biznesit të tij

21/12/2021

Trump padit Prokuroren e Përgjithshme për t’i dhënë fund hetimit ndaj biznesit të tij

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur të hënën një padi kundër prokurores së Përgjithshme të shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, në një përpjekje për t’i dhënë fund hetimit të saj civil ndaj një mashtrimi të mundshëm të kompanisë së tij.

Padia, e cila mbërriti pasi zyra e James i kërkoi Trump të dëshmonte, e përshkruan hetimin si të motivuar politikisht duke shprehur pretendimin se zyra e James ka lëshuar një urdhërthirrje për në gjykatë e cila ishte e tepërt dhe e parëndësishme”.

James, një demokrate që u largua nga gara për guvernatore e Nju Jorkut këtë muaj, nisi hetimin për Organizatën Trump në 2019 pasi Michael Cohen, avokati i dikurshëm i Trumpit tha se, republikani i lindur në Queens kishte rritur vlerën e aseteve të tij në dokumentet financiare që ai dhe kompania e tij paraqitën kur ai aplikoi për kredi.

Zyra e James së bashku me prokurorin e qarkut të Manhattan është angazhuar në një hetim penal ndaj Organizatës Trump.

Në padinë e ngritur të hënën thuhej se, hetimet e James-it udhëhiqeshin vetëm nga armiqësia politike dhe dëshira për të sulmuar, frikësuar dhe për tu hakmarrë ndaj një qytetari, të cilin ajo e sheh si kundërshtar politik”.

“Hetimet e nisura nga James nuk janë në asnjë mënyrë të lidhura me qëllimet legjitime të zbatimit të ligjit, por përkundrazi, janë thjesht një përpjekje e fshehtë për të keqtrajtuar Trumpin dhe bashkëpunëtorët e tij”, thuhej në padinë prej 30 faqesh, e cila u depozitua në Gjykatën e Qarkut Verior të Nju Jorkut. /DPA