Universiteti Politeknik i Hong Kongut (PolyU) njoftoi se ekipi i tij hulumtues ka zhvilluar me sukses "material printimi 3D antivirus" që mund të vrasë në sipërfaqe virusin që shkakton Covid 19, si dhe viruset dhe bakteret më të zakonshme, bën të ditur “Xinhua”.

Përbërësi kryesor i materialit është rrëshira, e shtuar me agjentë antiviralë si komponimet kationike, për të shpuar membranën qelizore të virusit dhe për të shkatërruar strukturën e saj për të vrarë virusin dhe bakteret, sipas studiuesve të PolyU.

Chris Lo, profesor i asociuar në Institutin e Tekstileve dhe Veshjeve në PolyU, i cili drejtoi ekipin hulumtues, tha se testet laboratorike konfirmuan se materiali mund të eliminojë mbi 90 për qind të viruseve brenda 10 minutave dhe të gjitha viruset dhe bakteret në një sipërfaqe në 20 minuta.

Lo tha se duke përdorur teknologjinë e printimit 3D, ai mund të prodhohet në forma të ndryshme që plotësojnë nevoja të ndryshme.

"Prandaj është shumë fleksibël dhe mund të përdoret gjerësisht në objektet publike për të ofruar mbështetje për parandalimin e epidemisë për komunitetin", -tha Lo, duke shtuar se kostoja e materialit ishte mjaft e ulët.

Vitin e kaluar, ekipi hulumtues ka bashkëpunuar me organizata të ndryshme për të prodhuar dorezat e koshave të riciklimit, mbulesat e dorezave të tualetit, butonat e ashensorit, tabelat braille etj., duke synuar të kryejë teste dhe prova të mëtejshme të efektivitetit dhe qëndrueshmërisë së materialit në vrasjen e viruseve.