RTSH 24 Live

Aktualitet

Shoferët që humbin pikët e patentës do të rikthehen në Autoshkollë

11/08/2022

Shoferët që humbin pikët e patentës do të rikthehen në Autoshkollë

Shoferët që kryejnë shkelje të rënda rrugore dhe u hiqen pikëte patentës, duhet të mendohen mirë, sepse do të kalojnë edhe një herë në Autoshkollë. Humbja e pikëve nga ana e shoferëve të parregullt nuk është më thjeshtë një “gjobë”. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) sqaron se forma e riedukimit për ata shkelës të rëndë, që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, do të jetë e ashpër, pasi ata do të kalojnë edhe një herë në test, si për të marrë nga e para patentën.

Sipas DPSHTRR, 73 shoferë do të duhet të bëjnë nga e para autoshkollën për t’u përgatitur në provim, pasi kishin të drejtë vetëm 1 herë për t’u futur në provim dhe jo 5 siç mund ta ketë një shofer i ri. DPSHTRR apelon që të respektohen normat e qarkullimit rrugor sepse nëse shoferët do të humbni të gjitha pikët, do të duhet të rikthehen në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitojnë patentën, vetëm nëse nuk kanë mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali, dhe nëse kalojnë testin e praktikës.

“Sot në Testin e rimarrjes së Leje Drejtimit pas humbjes së pikëve, teori e praktikë, vetëm dy persona kaluan. Kjo ishte seanca e 4-ët që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në Autoshkollë. Kjo, për 2 muajt e parë që ky akt është në fuqi, nga 75 rastet e para të referuara nga Policia e Shtetit! S’ka shpëtim përveç riedukimit për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë! 73 personave të riregjistruar, do t’u duhet të ndjekin nga e para mësimin në Autoshkollë për t’u ripërgatitur dhe për t’u riparaqitur për testim, çdo herë brenda një afati 30 ditor (me vetëm 1 mundësi prove)! Konkluzioni: respektoni normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbni të gjitha pikët, do të riktheheni në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitoni patentën vetëm nëse nuk keni mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali si edhe nëse kaloni në testin e praktikës! Këtë kohë, angari e kosto mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë!  Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/