Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka reduktuar periudhën e karantinës nga dhjetë ditë në pesë ditë për personat e infektuar me COVID-19 që nuk shfaqin simptoma.
Sipas CDC-së, pacientët asimptomatikë me COVID-19 do të qëndrojnë në karantinë për pesë ditë tani e tutje.
Pas karantinës, pacientët asimptomatikë do të duhet të mbajnë maskë pranë të tjerëve për pesë ditë të tjera.
Ndërkaq, personat që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës nuk do të duhet të futen në karantinë edhe nëse janë të ekspozuar ndaj COVID-19, por këta persona duhet të mbajnë maskë për dhjetë ditë.
- Numri i fëmijëve të shtruar në spital për shkak të COVID-19 në SHBA po rritet me shpejtësi
Nga ana tjetër, numri i fëmijëve të shtruar në spital në SHBA për shkak të COVID-19 ka arritur në nivelet më të larta që nga shtatori.
Në muajin e fundit, numri i fëmijëve të shtruar në spital për shkak të koronavirusit është rritur me 60 për qind, duke shkuar në afro 2.000 në gjithë vendin.
Në New York, numri i fëmijëve të shtruar në spital si rezultat i virusit është rritur pesëfish në tri javët e fundit, për të arritur në 109.
- Dr. Fauci rekomandon vaksinë të detyrueshme për fluturimet e brendshme
Ndërkohë, drejtori i Institutit Amerikan të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, Dr. Anthony Fauci, sugjeroi që vaksinimi të jetë i detyrueshëm për fluturimet e brendshme.
Duke deklaruar se më shumë njerëz do të vaksinohen kur vaksina të bëhet e detyrueshme, Fauci tha se vendosja e një detyrimi i vaksinimit për fluturimet e brendshme duhet të shqyrtohet seriozisht.