RTSH 24 Live

Kulturë

Rama: Java e Europës, udhëtim plot ngjyra e tinguj të bukur

04/05/2022

Rama: Java e Europës, udhëtim plot ngjyra e tinguj të bukur

Kryeministri Edi Rama fton qytetarët që t’i bashkohen aktiviteteve të shumta që mbahen në kuadër të Javës së Europës.

Rama shprehet se ky udhëtim plot ngjyra e tinguj të bukur që ka nisur me 3 maj në Shkodër, do të vijojë në Vlorë dhe përfundon më 9 maj në Tiranë.

“Me ftesën për t’iu bashkuar Javës së Europës 2022, në një udhëtim plot ngjyra e tinguj të bukur, i cili nisi me Shkodrën, vijon me Vlorën e ndalet në Tiranë më 9 maj, ju uroj një ditë të bukur”, u shpreh Rama.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka theksuar se në kuadër të Javës së Europës, do të festojmë për trashëgiminë tonë të pasur kulturore dhe vlerat e përbashkëta evropiane.

Sipas saj, pjesë e këtij kalendari janë edhe fëmijët.

Në Pedonalen e Shkodrës një ditë më parë u krijua një  atmosferë fantastike nga Ansambli i Qytetit dhe performanca e talentuar Ea Zoga, ndërsa nuk munguan panairet, shfaqja e filmave dhe diskutimet e shumta për t’u njohur me mënyrën sesi BE dhe shtetet anëtare po mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt familjes evropiane.

I pranishëm ishte edhe Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe Ambasadorë të Shteteve Anëtare të BE-së që u mirëpritën nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia.

“Java e Evropës këtë vit përqendrohet në vlerat e Bashkimit Evropian. Krenarë të rikonfirmojmë vlerat, respektimin e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, respektimin e të drejtave të njeriut, mosdiskriminimin, solidaritetin, barazinë midis grave burrave”, theksoi Hupin.⠀

Dita e Europës që festohet më 9 maj, shënon përvjetorin e deklaratës historike të Shumanit.

Gjatë një fjalimi në Paris në vitin 1950, Robert Shuman, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, prezantoi idenë e tij për një forme të re të bashkëpunimit politik në Europë, e cila luftërat mes popujve të Europës do t’i bënte të paimagjinueshme.

Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj, që sot njihet me emrin Bashkimi Europian. Atë ditë në Paris, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera europiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.

Ai propozoi krijimin e një institucioni europian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 Majin si “Dita e Europës”.

Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Është mjaft domethënës fakti që për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane. Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike, u njësua me integrimin europian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Europian në vitin 1990, të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Europian.