RTSH 24 Live

Sociale

Përurohet teatri në natyrë ‘Pinoku’ te Liqeni, Veliaj me kryebashkiakun e Parmës: I kushtohet fëmijëve

26/05/2022

Përurohet teatri në natyrë ‘Pinoku’ te Liqeni, Veliaj me kryebashkiakun e Parmës: I kushtohet fëmijëve

Një nga hapësirat e Parkut të Liqenit, e njohur si Bisedkat e vjetra të arkitektit Maks Velo, është transformuar në një teatër të hapur në natyrë për fëmijët. Teatri veror do të mbajë emrin “Pinoku” dhe është një dhuratë nga Bashkia e Parmës dhe Fondacioni “Collodi”, për nder të shkrimtarit të madh Italian, që krijoi personazhin e famshëm dhe të dashur për fëmijët, Pinoku.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe homologu i tij nga Parma, Federico Pizzarotti, së bashku me një grup fëmijësh, përuruan sot Teatrin më të ri në qytet, ku është vendosur edhe instalacioni i “Pinokut”, vepër e artistit të njohur shqiptar, Klement Zoraqi. Veliaj u shpreh se Tirana është një qytet në progres, që e thotë qartë edhe transformimi i Parkut të Liqenit, nga një hapësirë e mbushur me kioska dhe plehra, në një nga zonat më të parapëlqyera për qytetarët dhe turistët.

“Kjo është një nga ato pikat ku ne kemi ndërhyrë për ta shndërruar në një hapësirë çlodhëse, një teatër me shfaqje për fëmijë. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë nga pak progres çdo ditë. Fakti që pak orë nga ndeshja e mbrëmshme, ku e gjithë zona e Liqenit ishte e pushtuar nga tifozët, e gjejmë të pastër dhe jemi gati të rikuperojmë me punët e reja, me projektet e reja dhe me këtë Teatër fantastik, flet shumë se çfarë kulture kemi në qytetin tonë. Fakti që të gjithë ata njerëz që erdhën nga Roma dhe Roterdami, u befasuan nga një Tiranë e pastër, me njerëz të kulturuar, mikpritës dhe një qytet që di t’i përballojë flukset të mëdha, tregon se më e mira është përpara”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzarotti, nënvizoi se përurimi i Teatrit Collodi (Pinoku) do të jetë një nga vendet e binjakëzimeve mes dy qyteteve.

Të parët që u ngjitën në skenën e teatrit të ri në kryeqytet ishin nxënësit e një prej shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit, të cilët performuan aventurat e Pinokut.

/rtsh.al/