RTSH 24 Live

Libra

Përkujtohet shkrimtari Sulejman Krasniqi

22/07/2021

Përkujtohet shkrimtari Sulejman Krasniqi

Kanë kaluar 10 vite nga koha kur shkrimtari Sulejman Krasniqi u nda nga jeta. Në këtë përvjetor, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve ″Shtëpia me gjethe″ mbajti një veprimtari përkujtimore me familjarë, miq, të afërm dhe kolegë të cilët sollën në vëmendje të gjithë angazhimin që Sulejman Krasniqi ka dhënë për çështjen kombëtare, përmes krijimtarisë së tij.
Për qëndrimin që Krasniqi mbajti si shkrimtar por edhe si veprimtar për çështjen kombëtare, ishte e vështirë që vepra e tij të shihte dritën e botimit, për këtë arsye censura që vinte nga sistemi e ndoqi gjatë gjithë kohës.
Por, pavarësisht këtyre peripecive, Krasniqin e donin të gjithë atdhetarët e tij, po aq edhe veprën e tij letrare.
Krasniqi është autor i një numri të madh romanesh, novelash dhe veprash eseistike të botuara në shqip, ndër të cilat veçohen romanet Mic Sokoli, Rebeli i Bajraqeve dhe Makthi i Hijeve, drama dhe vepra publicistike. Për kontributin në fushën e letrave, Sulejman Krasniqi është nderuar me “Çmimin e Republikës”, dhe është dekoruar me “Urdhrin e Punës” nga Kuvendi i Shqipërisë.