RTSH 24 Live

Politikë

Nisma ligjore për pagat dhe ekonominë/ Meta: Rama manipuloi dosjen për të më implikuar, të mblidhet që sot Parlamenti

11/08/2022

Nisma ligjore për pagat dhe ekonominë/ Meta: Rama manipuloi dosjen për të më implikuar, të mblidhet që sot Parlamenti

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për shtyp ka komentuar një sërë çështjesh, duke nisur nga nismat ligjore, çështja e 'djegësave', referendumi, dosja I.M., dhe akuzat ndaj tij. Kreu i Partisë së Lirisë ka bërë me dije se do të ndërmarrë disa nisma ligjore që lidhet me rritjen ekonomikë dhe rritjen e pagës.

Do të propozohet të hartohet me ligj indeksimi i detyrueshëm i pagës. Flitet për rritje ekonomike por nuk ka rritje page. Do propozohet një kuadër ligjor që të lidhet rritja ekonomike me rritjen e pagës. Rritja e borxhit vjen për arsye të projekteve me PPP. Apo me projekte të tjera që nuk kanë produktivitet në ekonomi. Është e domosdoshme që për të penguar ekzekutivin të propozohet një kuadër ligjor për tavanin e borxhit publik”, tha Meta. Duke u ndalur sërish te referendumet, Kryetari i Partisë së Lirisë theksoi se produktet e Këshillimit Kombëtar do shkojnë tek djegësat. Ai shtoi se partia e tij do bëjë gjithçka që referendum të jetë i zbatueshëm me ligj dhe shpreson që kjo gjë të zgjidhet në muajin shtator, me sesionin e ri parlamentar.

“Ato produktet e Këshillimit Kombëtar do shkojnë tek djegësat, se ato nuk ekzistojnë. Së dyti do të bëhet çdo gjë që referendumi të jetë i zbatueshëm e të kemi ligj që zbaton këtë të drejtë kushtetuese se gjithcka deri tani ka qenë që të jetë i pazbatueshëm. Nëse kjo gjë zgjidhet që në shtator, gjë e mrekullueshme. Por në cdo rast kjo është një imperativ e kohës madje jemi shumë të vonuar që ti mbajmë shqiptarët këtu e ti rikthejmë ata që kanë humbur besimin tek funksionimi i shtetit të së drejtës, respektimi kushtetues dhe ligjshmërisë.

Edhe nëse ata nuk reflektojnë se dihet që kanë tmerre nga zgjedhjet, nga referendumi e nga vetë sovrani, kjo gjë vetëm se do përshpejtojë zgjedhjet e përgjithshme dhe bashkë me to do sjellë një shumicë shumë të fortë me një vullnet të hekurt politik për të nisur menjëherë me garantimin e referendumit dhe referendumeve. Me këtë çështje do merremi në mënyrë të vazhdueshme. Kjo do bëhet e do bëhet shumë shpejt, e do bashkëpunojmë me të gjithë. Do ta bëjë populli shqiptar, me hir dhe me pahir, se e ka vendosur vetë dhe nuk ia mohon dot njeri, aq më keq për këdo që bëhet pengesë apo po sillet në mënyrë të pandershme me këtë cështje, referendumi do jetë shpata e Demokleut jo vetëm ndaj kësaj qeverie që kjo është e ikur, të jeni të sigurtë për këtë gjë, por ndaj cdo qeverie në të ardhmen që do guxojë të sillet sa një e mijta si kjo”, shtoi Meta.

Më tej, kreu i Partisë së Lirisë u ndal dhe te dosja I.M., ku përmendej emri i tij si ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, ku tha se u manipulua në mënyrë të pastër me qëllim sulmimin e Presidentit. Shumë shpejt personat që kanë foto me Edi Ramën, tha Meta, do e grisin atë, ndërsa theksoi se senatorë e kongresmenë do tronditen se si guxohet të manipulohen dosjet në vendin tonë.

Në rastin e Tao Taos, situata është shumë dramatike për shefin e Tao Taos, për arsye se është 1000% e provuar se këtu ka ndodhur një cenim i rëndë i rendit kushtetues për shkak se provohet se në kohën kur Ilir Meta ka qenë president i republikës, shefi i Tao Taos, ka urdhëruar dhe ka garantuar mbrojtje bashkëpunëtorit të provuar të sigurimit të shtetit M.L. I dalluar si poliagjent dhe një ish-SHIK-si A.H. për të manipuluar në mënyrë të qartë dhe shumë të trashë dosjen e ndjekjes së qytetarit F.T. që është edhe shtetas amerikan. Nëse nuk tronditet Lindita e Parlamentit tonë të jeni të sigurt se do habiten kongresmenët dhe senatorët atje si guxohet të manipulohet dosja e ndjekjes së një të riu në atë kohë, sot një qytetar amerikan vetëm për të implikuar dhe për të goditur politikisht Presidentin e Republikës.

Manipulimi ka ndodhur para 25 korrikut dhe përmasat e këtij skandali do te jenë për Edvin Kristaq Ramën. Ai ka kaluar vijat e kuqe në raport me kundërshtarët por edhe vijat e zeza dhe çdo njeri që ka një foto me Edvinin shumë shpejt do ta grisë atë. Që sot të mbledhin Parlamentin, do shkoj vetë në parlament, tre kartela më duhen mua me vete që t’i nxjerr atje dhe ata t’i sjellin të gjithë anëtarët e autoritetit të manipulimit të dosjeve. Të sjellin dhe A.L etj, por kjo nuk është cështja më e rëndë ku është impilikuar Edi Rama në kapjen e shtetit që e ka bërë në shërbim të agjenturave armiqësore kundër Republikës së Shqipërisë, të agjenturave armiqësore. Shumë shpejt do provohet që kjo është pjesë e një agjende antikombëtare. Me ilir Metën këto nuk shkojnë”, tha Meta.

/rtsh.al/