RTSH 24 Live

Politikë

Meta: Durrësi është përballur me një presion të jashtëzakonshëm të mafies qeveritare

11/08/2022

Meta: Durrësi është përballur me një presion të jashtëzakonshëm të mafies qeveritare

Turi i takimeve të Kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, me strukturat e partisë, ka vijuar sot pasdite në Durrës. Sipas tij, Durrësi është përballur me një presion të jashtëzakonshëm të mafies qeveritare dhe të gjithë grupeve të tjera mafioze, të cilat duan ta mbajnë Shqipërinë, por sidomos Durrësin, në frikën e korrupsionit, të drogës.

Meta, në fjalën e tij, ka nënvizuar se Durrësi që është viktima e dytë më e madhe e betonizimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave pas Tiranës dhe se ka për të detyrë të zgjohet për të ruajtur identitetin dhe komunitetin, por edhe të ardhmen se ka vuajtur si qytet nga një pasiguri e madhe.

“I dimë pasojat e tërmetit, por pasojat e tyre erdhën nga korrupsioni. Se vite më parë kishte një studim strategjik të kryer nga ekspertë që thotë se Durrësi ka aktivitet të lartë sizmologjik. Ndaj edhe shembja e banesave dhe viktimat, për fat të keq, erdhën si pasojë e korrupsionit. Shkatërrimi i arkeologjisë, i vlerave më të mira historike dhe kulturore të qytetit, është një dëm i jashtëzakonshëm që ka ardhur prej korrupsionit dhe një politike të mirë studiuar për të bërë gjithëshka për të zhdukur identitetin tonë si shqiptarë. Shihni çfarë ndodhi në Tiranë, çfarë ndodhi me Butrintin.”,- deklaroi Meta.

Në vijim të fjalës së tij, Meta nënvizoi se qeveria e Ramës do të fundoset pasi, sipas tij, “është e zhytur në skandale”.

“Në këtë drejtim, unë ju ftoj të gjithëve ju këtu, të rrisim forcën reaguese shqiptare. Të rrisim kapacitetet investiguese, që duan funksionimin e shtetit ligjor. T’u japim besim dhe forcë të gjithëve që të denoncojnë çdo padrejtësi, falsifikim kudo që ndodh. Durrësi edhe me një vesë të lehtë përmbytet. Jeni dëshmitar se çfarë ndodh, edhe pse janë bërë gjoja investime. Janë bërë investime për të vjedhur, jo për të zgjidhur problemet. Durrësi është viktimë e madhe e këtij abuzimi”, tha Meta.

Për Metën, Rama shpiku termin ‘investitor strategjikë’, për t’iu dhënë njerëzve krah tij, për të marrë asetet më të mira publike.

 “Ju e dini sa po vuajnë sipërmarrësit e ndershëm në Durrës dhe gjithë Shqipërinë. Shikoni si papritur shpiken investitorë strategjikë, duke marrë asetet më të mira publike falë vendimeve selektive, favorizuese, në dëm të konkurencës nga vetë qeveria dhe kryeministri. Kemi aferën e portit që do ta quaja unë, një aferë që është kundërshtuar nga opinionin për shkak të transparencës, por edhe nga BE, sepse bie në kundërshtim me marrëveshjen e stabilizimit associmit. Kjo marrëveshje bën të qartë që të gjitha marrëveshjet e tilla duhet të bëhen në bazë të konkurencës dhe jo eliminimit të konkurencës. Këtu kemi të bëjmë me një aferë shumë të qartë, me një arrogancë dhe brutalitet nga i cili nuk përfitojnë qytetarët e Durrësit dhe as ekonomia e Durrësit. I ftoj qytetarët që të jenë të kujdesshëm”, tha Meta.

/rtsh.al/