RTSH 24 Live

Kronika

Lirohen nga qelia 4 personat që nxorën pagat e afro 700 mijë shtetasve

10/01/2022

Lirohen nga qelia 4 personat që nxorën pagat e afro 700 mijë shtetasve

Katër personat e arrestuar për nxjerrjen e të dhënave të pagave për më shumë se 690 mijë qytetarëve janë liruar nga burgu. Vendimi është marrë nga gjyqtari Artan Gjermeni i cili ka caktuar që specialisten e IT Eni Qirjako të qendrojë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ndërkohë për 3 të tjerët specialist i IT Andi Agaraj si dhe 2 përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonom masa e "arrestit në shtëpi". 

Prokuroria kërkoi masë shtrënguese të arrestit në burg për katër të arrestuarit me argumentin se ata janë përgjegjës së daljes së të dhënave personale dhe më pas shitjen e tyre te dy bizneset private kundrejt shumave monetare që varionin nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë. 
Sipas organit të akuzës  "Specialistja e IT, e punësuar tek AKSHI ka pasur akses tek pagat, ka hyrë dhe i ka marrë të dhënat, i ka shpërndarë tek kolegu i saj, pa autorizim ua ka shitur subjekteve private” tha ajo. 

Referuar dosjes hetimore, transferimi i të dhënave është bërë në periudha të ndryshme kohore, nga tetori i vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021. 
Të dhënat dyshohet se janë nxjerrë nga databasa e sistemit CATS. Sipas dosjes hetimore, Qirjako është vënë në dijeni të shpërndarjes së pagave në dhjetor të vitit të kaluar, dhe ka konstatuar se data dhe ora e krijimit të file-ve që janë bërë publike përmes Whatsapit përkon me të dhënat që i ka dërguar kolegut të saj, Andi Agariat. Për këtë ajo ka vënë në dijeni drejtorin e saj Ervin Muça, ndaj të cilit po zhvillohen hetime në gjendje të lirë.