RTSH 24 Live

Kronika

Kakavijë, sekuestrohen kanabis e lëndë eksplozive, autorët arratisen në pyll

29/12/2021

Kakavijë, sekuestrohen kanabis e lëndë eksplozive, autorët arratisen në pyll

44 kilogramë,  500 gramë kanabis, 4 kallëpe me lëndë plasëse C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës janë sekuestruar në pyllin midis fshatit Kakavijë dhe fshatit Dritë.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijes, në bashkëpunim me Frontex-in dhe specialistët e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, bazuar edhe në informacionet e marra nga Policia Kufitare, se tre shtetas po transportonin lëndë narkotike në drejtim të shtetit grek, kanë koordinuar veprimet, duke krehur zonën në një perimetër të gjerë.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtyre shtetasve, të cilët sapo kanë diktuar se po i ndiqte Policia, kanë braktisur çantat dhe duke përfituar edhe nga moti i keq me shi e mjegull janë larguar me shpejtësi në thellësi të pyllit.

Strukturat hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.