RTSH 24 Live

Libra

Gazetari Avdulla Kënaçi sjell librin e tretë

23/01/2021

Gazetari Avdulla Kënaçi sjell librin e tretë

Gazetari, publicisti e prozatori i njohur Avdulla Kënaçi ka nxjerrë në treg librin e tij të tretë në prozë të titulluar Liridona. Një vëllim me 13 tregime dhe 2 novela i cili sapo ka parë dritën e botimit, që vjen menjëherë pas dy vëllimeve të tjera me proza të shkurtra “Enigma e një nate” dhe “Autokritika”. Në këtë libër të ri, tre janë motivet bazike: derdhja artistike e përjetimeve nga vendlindja, nga historia dhe nga emigracioni i kohëve të sotme. Autori endet i sigurt në tërë këtë hapësirë, duke rizgjuar e skalitur me frymëzim dhe realizëm, tërë këtë botë të gjerë.Profesioni i gazetarit për shumë vite në median e shkruar dhe atë televizive, sidomos përcjellja prej tij e reportazhit nëpër vise të ndryshme të vendit, si dhe puna e gjatë në Redaksinë e Diasporës, kanë krijuar te ky autor një pasuri të madhe mbresash e përjetimesh të gjalla prej fateve të llojllojshme njerëzore. Që nga vendi i largët, ku ai tashmë jeton prej vitesh, në Kanada, tërë këto impresione e kujtime, marrin një tjetër përmasë, sigurisht prej mallit të kuptueshëm, por edhe përmes kullimit artistik të tyre, nëpër filtrat e shpirtit e të meditimit krijues.

Titulli “LIRIDONA” i këtij libri të ri, përçon mesazhin e kërkimit të lirisë, në kuptimin më të gjerë të saj, si liri nacionale dhe si liri e brendshme e personalitetit të njeriut. Vëllimi artistik “LIRIDONA” dëshmon arritje të mëtejshme të autorit Avdulla Kënaçi dhe besojmë se me siguri do të zgjojë interesimin e lexuesit. Ky lexues do të gjejë këtu pasuri jete, ngjarje dhe personazhe intrigues, përmes skalitjes së tyre me kolorit të pasur gjuhësor dhe me frymën e spikatur të epokave të ndryshme historike. Por autori na tregon se nuk do të mbetet me kaq pasi ai ka tashmë gati një tjetër vëllim që synon ta botojë sapo të vijë në Shqipëri, ndërsa është duke punuar edhe për një tjetër projekt:

Avdulla Kënaçi është një nga emrat e njohur të medias sidomos sa i takon realizimit të emisioneve dhe filmave dokumentarë për bashkëatdhetarët në të gjithë botën duke ndërtuar rreth 60 të tillë. Prej disa vitesh ai jeton në Kanadanë e largët aty ku duket se ka gjetur edhe frymëzimin për të shkruar kryesisht rreth jetës së emigrantëve shqiptarë e duke na sjellë në duar botime cilësore që përthithen e mbeten në kujtesë të çdo lexuesi.