RTSH 24 Live

Libra

Botohet vepra e plotë e dramaturgut shqiptar Et'hem Haxhiademit

25/06/2021

Botohet vepra e plotë e dramaturgut shqiptar Et'hem Haxhiademit

Nxirret nga pluhuri i harresës vepra e plotë e dramaturgut shqiptar Ethem Haxhiademit. E gjithë krijimtaria e tij, e cila përbëhet nga 9 vepra, ndër to 7 tragjedi, një përkthim i veprës së Virgjilit dhe një përmbledhje poetike, botohet për herë të parë përgjatë këtij viti. Haxhiademi kishte një krijimtari të ngjeshur, pasi të gjithë veprën që la pas e shkroi brenda një dekade.
Shkrimtari Arjan Leka tha se  “Si tragjedian, për ironi të fatit e përndjek vetë atë, fati i personazhit tragjik. Njëlloj si personazhet e tij ai u vetëbë një personazh tragjik. Haxhiademi ndëshkohet skajshmërisht shumë rëndë. Siç autori nuk doli më nga burgu, edhe vepra e tij nuk doli më nga burgu sepse nuk komunikoi ndonjëherë as me formën e publikut lexues dhe as me formë e audiencës teatrore”.
Specifika e këtyre 9 veprave që kanë njohur dritën e botimit është se ato janë botuar të njëjta si veprat e origjinale.
“Ato të gjithë kanë shënimin që botohen sipas origjinalit. Duke qenë se veprat që nga vitet e para nga ‘31-39 janë botuar në tirazhe shumë të kufizuara dhe në atë kohë dhe në Bibliotekat e Shqipërisë kanë mbetur fare pak kopje. Ne botuam 9 vepra sipas origjinali me gabimet e origjinalit, me idenë që këto vepra të sotme të shërbejnë si referente e atyre. Pra botimi i vitit ’31 dhe 2021 janë njëlloj”. 
Studiuesi i letërsisë, prof. Shaban Sinani shprehen se me botimin e këtyre veprave, Haxhiademi duhet të jetë më i pranishëm në programet universitare. “Rruga që ndoqi ai ishte rruga e neoklasicizmit. Korniza e neoklasicizmit nuk e pengoi që të zhvillonte një dramaturgji vërtetë shumë të denjë dhe të zërë një vend në historinë e Letërsisë Shqipe. Ky është një vit kthese që Haxhiademin ta njohim më shumë si fytyrë dhe të përfshihet më shumë në programet universitare”.
Pas këtyre botimeve, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave dhe shkrimtarit Arjan Leka, 9 veprat e Haxhiademit do të vijnë në një botim të plotë, e cila do të përmbajë, parathënie të studiuesve të ndryshëm kumtesat e realizuara nga studiuesit për veprën e tij, si dhe shënime përkatëse se në cilat vende ka patur ndërhyrje në vepër.