RTSH 24 Live

Politikë

Bisedimet e anëtarësimit, burime diplomatike: Pritet vendim befasues!

28/05/2022

Bisedimet e anëtarësimit, burime diplomatike: Pritet vendim befasues!

Mundësitë për marrjen e një vendimi pozitiv mbi Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri - Bashkimi Europian në qershor mbeten të hapura.

Burime të besueshme diplomatike i thanë Televizionit Publik Shqiptar se aktorët europianë nuk kanë hequr dorë nga ndikimi mbi Bullgarinë që të heqë veton për Maqedoninë e Veriut, veto që mban peng edhe Shqipërinë.

Testi serioz që ka vënë në pikëpyetje mekanizmin europian të vendimarrjes do të duhet të provojë veten, ndërkohë që strukturat europiane nuk e shohin të pamundur moderimin e mekanizmit të vetos në vendimet në vazhdim.

Vizitat e shpeshta të autoriteteve europiane në rajon, por edhe të ministrave të vendeve anëtare, flasin për përpjekjet që të mos humbet treni semestral i presidencës franceze, ndërkohë që precedenti mund të kujtojë çdo shtet anëtar që të ngrejë pretendime.

Kështu media greke ka pyetur mundësinë e një vetoje greke për Shqipërinë, të cilën ministri aktual Dendias e ka përjashtuar pasi sipas tij Shqipëria ka bërë një zgjedhje të rëndësishme të paktën në kohën e kryeministrit Rama, duke iu referuar Bashkimit Evropian dhe ligji evropian, rrjedhimisht edhe partneritetit me Greqinë.

Dendias ka këmbëngulur të shihen linjat e gjera të politikave dhe pozicionet e qëndrueshme, me të cilat, sipas tij, Shqipëria është konsistente, referuar Hagës për Marrëveshjen e Detit.

 Në të njëjtin vlerësim qëndrimi shqiptar, si dhe linja e përgjithshme e politikës së Shqipërisë për vendimet e Bashkimit Evropian si për çështjen e Qipros ashtu edhe për Turqinë tregon se Shqipëria ka respektuar të gjitha vendimet, pavarësisht se ende nuk i është dhënë statusi specifik që do ta detyronte për këtë, ka thënë mininistri Dendias që propozon kohë për t'u përshtatur.