RTSH 24 Live

Politikë

Berisha nga Devolli: Basha anëtar i organizatës kriminale, sipas dosjeve në Belgjikë

03/12/2021

Berisha nga Devolli: Basha anëtar i organizatës kriminale, sipas dosjeve në Belgjikë

Ish-kryeministri Sali Berisha, u ndal sot në Devoll për 'Foltoren' e 26-të me demokratët. Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se në 8 vite qeverisje e çoi Shqipërinë nga një rekord i zi në një tjetër duke e kthyer vendin në delen e zëzë të Ballkanit. "Pas zgjedhjeve të 25 prillit humbi çdo prespektivë. Në 8 vite Edi Rama kaloi nga një rekord i zi në një tjetër. E bëri Shqipërinë "delen e zezë" të Ballkanit."-tha Berisha. Berisha hodhi akuza edhe ndaj opozitës. Ai theksoi se roli i opozitës këto 8 vite me në krye peng kryetarin ishte në dështim me çdo nismë që mori ndërsa i kërkoi sërish Bashës të japë shpjegime për përfshirjen në dosjen 'Toyota Yaris' dhe 'Muzin'.

"Ka dështuar të ndërrojë rotacionin e pushteti me votë. Nisi çadrën për mbrojtjen e votës, përfundoi në qeveri. Ndodhën zgjedhje të tjera, sot ne vijmë kokëulur para shqiptarëve se humbën 4 zgjedhje, ose kemi dorëzuar 4 zgjedhje. Një njeri i papërgjegjshëm, një njeri pa integritet nuk kupton se pas këtyre humbjeve duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Me opozitën ndodhi ajo që po del përditë në pah. Kryetari është marrë peng nga qeveria dhe të tjerë. Në fillim të kësaj lëvizje e quajta ‘peng Basha’. Kurrë nuk e etiketoja pa patur bindje absolute se i tillë është. Faktet e dëshmojnë çdo ditë e më shumë këtë gjë. Nëse është vendosur narkoshteti, kreu i opozitës me dosjet e tij të krimit është aksioner i këtij shteti. Në Foltore të ndryshme kam denoncuar dhe i kam kërkuar para jush të japë shpjegime për Toyota Yaris. Të japë shpjegime për dosjen Muzin. Edi Rama e ka kursyer të ka mbajtur peng me dosjet në Shqipëri, por me dosjet në Belgjikë e vërteta është se je i shpallur anëtar i organizatës kriminale. E garantoj se me radhë do të dalin edhe dosje të tjera dhe e garantoj këtu se projekti i Emirateve në Durrës nuk do zhvillohet kurrë sa të jetë PD forca më e fuqishme e vendit.”-tha Berisha.

Sakaq Berisha falenderoi delegatët që kanë firmosur për Kuvendin e 11 dhjetorit ndërsa theksoi se mbështetja e tyre në mënyrën më civile dhe më paqësore ka transformuar Shqipërinë, si një revolucion i vërtetë demokratik.

“Foltorja u shndërrua në një dritë të vërtetë shprese, ajo rezonoi fuqishëm jo vetëm në katër anët e vendit, por në katër anët e kombit shqiptar, kudo që janë sot shqiptarët përreth në SHBA dhe në Evropë. Shqiptarët shohin shpresën e tyre të vërtetë te lëvizja 'Foltore'.”-deklaroi ish-kryeministri.