RTSH 24 Live

Politikë

Basha bën ndryshime në strukturën e PD-së

15/01/2022

Basha bën ndryshime në strukturën e PD-së

Kreu i PD Lulzim Basha ka ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në kupolën e PD, njoftojnë mediat. “Në zbatim të vendimit të Kryesisë, ku është vendosur që organizatorët e dhunës të mos mbajnë pozicione drejtuese në Grup Parlamentar, dua t’ju njoftoj ndryshimet që do ti propozoj Grupit Parlamentar. Kam vendosur që këtë ta ndajë më së pari me Këshillin Kombëtar të PD, ku është prezent e gjithë trupa drejtuese e partisë" citojnë ato të ketë thënë zoti Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar .
"Fillimisht dua tju informoj se me një vendim të përbashkët timin dhe të Kryetarit të Grupit Parlamentar z. Alfred Rushaj, kemi vendosur me dakordësi, që drejtimi i Grupit, me sfidat e reja që kemi përpara, t’i kalojë z. Enkelejd Alibeaj.
Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falenderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe, dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe con përpara sfidat që ka PD.”, ka thënë Basha.
Këshilli Kombëtar ka votuar që Agron Gjekmarkaj të marrë postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike. Burime brenda PD thanë se Rushaj nuk ka pranuar më të qëndrojë në PD, pasi nuk ka qenë dakord me përjashtimet e deputetëve dhe as me politikën e ndjekur nga Basha, veçanërisht me sjelljen e lidershipit në protestën e 8 Janarit.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, kryetari Lulzim Basha ka propozuar ndryshime në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare. Një nga ndryshimet që bie në sy është dhe ai i zëvendësimit të Albana Vokshit me Grida Dumën në krye të Komisionit të Shëndetësisë.

Ndryshimet

Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë: Grida Duma

Kryetar i Komisionit të Arsimit: Flutura Açka

Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve: Dhurata Çupi

Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (Sekretar)

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar)

Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (Sekretar)

Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar).