RTSH 24 Live

Sociale

Balluku me kryebashkiakët e qarkut Durrës: Shifrat e konsumit jo reale, rritje të ujit të papaguar

04/12/2021

Balluku me kryebashkiakët e qarkut Durrës: Shifrat e konsumit jo reale, rritje të ujit të papaguar

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi të shtunën një takim me kryebashkiakët e qarkut Durrës si dhe kryebashkiakët e Kavajës dhe Rrogozhinës, lidhur me reformën në sektorin e ujit.

Ministrja u ndal te problematikat e këtij sektori, ndërsa paraqiti edhe disa statistika konkrete në këtë fushë.

“Në total në qarkun e Durrësit kemi 447 083 banorë, ndërkohë që kemi 95 821 lidhje të ujit të pijshëm. Në këtë qark ne i shërbejmë 373 065 abonentëve. Uji i papaguar në qytetin e Durrësit në vitet 2018-2020 ka qenë në masën 75.6%, ndërkohë që për vitin 2021 është 80.75%. Pra, krahasuar me dy vite më parë kemi një rritje të ujit të papaguar”, tha Balluku.

Ministrja theksoi se e njëjta gjë ndodh edhe në Krujë. “Nga 67.8% që e kemi pasur ujin e papaguar në periudhën 2018-2020, sot kemi arritur në 70.7%”, tha ajo.

Duke folur për normat e arkëtimit, Balluku theksoi se “ato janë shqetësuese në qarkun e Durrësit”.

“Durrësi në 2021 deklaron 55.2% ndërkohë që Kruja edhe pse deklaron më tepër nga verifikimet tona është në nivelin 43.8%. Duhet pasur parasysh që totali i detyrimeve të papaguara në euro për ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve Durrës është mbi 70.4 milionë euro, ndërkohë që për Krujën mbi 7.8 milionë euro. Ne e dimë se problemi për Durrësin vjen nga energjia elektrike e papaguar, sepse ujësjellës kanalizime Durrës është i bazuar te sistemi i pompimit, që prodhon një faturë të çmendur gjatë muajit, ndaj do të diskutojmë çdo mundësi që e bën më eficente furnizimin, si dhe një zgjidhje financiare, sepse është një ndërmarrje që rrit borxhin muaj pas muaji”, tha Balluku.

Ministrja u ndal edhe te numri i punonjësve në këto ndërmarrje. “Durrësi ka 5.3 punonjës për 1 mijë kontrata ndërkohë që norma referuese është 4.6 punonjës për 1 mijë kontrata. Ndërsa në Krujë kemi 7 punonjës për 1 mijë kontrata, që do të thotë rritje e kostos e pajustifikuar”, shtoi ajo.

Lidhur me orët e furnizimit me ujë, Ministrja theksoi se “Durrësi ka të deklaruar 9.7 orë në ditë dhe Kruja 9.8 orë në ditë.

Balluku shprehu shqetësimin edhe për shifrat e deklaruara të konsumit mesatar mujor, i cili sipas saj në shumë raste nuk përkon me realitetin.

“Në Durrës konsumi mesatar për lidhjet familjare është 7m3, për lidhjet private ku hyjnë të gjitha bizneset e hotelet është 13 m3 dhe për institucionet publike është 149 m3 në muaj. Është më e lehtë për ndërmarrjet e ujësjellësit që ujin t’ia faturojë institucioneve shtetërore se sa një biznesi privat. Edhe në Krujë kemi 12 m3 familjari, 7 m3 privati dhe 42 m3 institucionet publike. Kjo situatë duhet të merret seriozisht nga kryetarët e bashkive”, tha ministrja.

Lidhur me Kavajën e Rrogozhinën, Balluku theksoi se arkëtimi në Kavajë shkon 24.9%, ndërkohë që 1 vit më parë ishte 31.44%.

“Ndërsa në Rrogozhinë arkëtimi është 64.4%, ndërsa një vit më parë ka qenë 64.12%. Uji i papaguar e kemi pasur 60.2% në Kavajë dhe ka shkuar në 66.76%. Në Rrogozhinë ka qenë 54.4% dhe ka shkuar 64.14%”, tha Ministrja.

Ajo theksoi se Kavaja deklaron 9.2 orë furnizim me ujë të pijshëm në ditë dhe Rrogozhina 7.6 orë.