RTSH 24 Live

Kronika

Atentati në Fushë-Krujë, gjenden 10 gëzhoja në vendngjarje

10/01/2022

Atentati në Fushë-Krujë, gjenden 10 gëzhoja në vendngjarje

Zbardhet dëshmia e dhënë për grupin hetimor të dy personave të plagosur në atentatin e Fushë-Krujës.

Burime nga policia bëjnë të ditur, se Gentjan Bejtja, ish-efektivi i Policisë, ka thënë se nuk e ka parë kush ka qëlluar, por sapo ka dëgjuar të shtënën e parë nga prapa automjetit është larguar me shpejtësi.

Të njëjtin version ka dhënë edhe Enver Stafuka, i cili ishte bashkë me Bejtjan në automjet kur atyre iu bë atentati dhe që mbeti i plagosur nga përplasja e mjetit me bordurë anësore të rrugës.

Bejtja dhe Stafuka i shpëtuan atentatit në Fushë Krujë, ku policia po punon në disa pista, por më kryesorja është ajo e konflikteve të mëparshme të ish-efektivit të policisë, që ka dyshime se është i përfshirë në bandën e Niklës.

Stafuka dhe Bejtja rezulton se janë arrestuar vite më parë,  pasi vodhën autoveturën, me të cilën u vra kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013.

Bejtjes i është bërë edhe një tjrtër atentat në vitin 2016, ku një sasi eksplozivi ju vu automjetit të tij, që shpërtheu në lëvizje.

Policia ka shoqëruar disa persona, të cilët mendohet të kenë parë lëvizjet e atentatorëve si dhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë në disa biznese në zonë.