RTSH 24 Live

Politikë

30-vjetori i themelimit të FRESH, Gjiknuri: E ardhmja është këtu!

15/01/2022

30-vjetori i themelimit të FRESH, Gjiknuri: E ardhmja është këtu!
 

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri ka përcjellë urimin për 30 vjetorin e themelimit të Forumit Rinor eurosocialist të Shqipërisë.

Gjiknuri shpreh mirënjohje dhe respekt për atë grup të rinjsh dhe të rejash që në Janarin tashmë të largët të vitit 1992 zgjodhën me guxim të themelonin Forumin Rinor Eurosocialist.

“Këto 30 vite kanë dëshmuar më së miri se ata bënë zgjedhjen e duhur. Besuan tek Partia Socialiste dhe kjo parti u dha atyre mundësinë që të punojnë së bashku për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë”, deklaron Gjiknuri.

Ai thekson se forumi Rinor Eurosocialist shërbeu si një fidanishte që i solli freskinë aq të nevojshme një partie që po transformohej e modernizohej me shpejtësi.

“Një forcë politike moderne, demokratike dhe e hapur si Partia Socialiste do të garantonte më pas një bashkëjetesë perfekte midis të resë dhe të vjetrës.  Njësoj si 30 vjet më parë, për Partinë Socialiste ka një filozofi që qëndron në zemër të politikave të saj: e ardhmja është këtu dhe e ardhmja mund të ndërtohet me kontributin e gjithësecilit prej nesh”, deklaron Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së falënderon të gjithë ata që kontribuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë me energjinë e tyre të pashtershme për rrjetin gjithnjë e më të madh të rinisë socialiste.

 Forumi i Rinisë Eurosocialiste është një organizim politik i rinisë brenda Partisë Socialiste dhe u themelua në 15 janar 1992. FRESH funksionon në mënyrë të pavarur bazuar mbi Statutin dhe Programin e saj.

FRESSH është bashkim vullnetar i të rinjve dhe të rejave shqiptar mbi bazën e ideve, bindjeve, pikëpamjeve dhe interesave të përbashkëta politike që synojnë të forcojnë rolin e rinisë shqiptare në jetën e vendit.

FRESSH ka qenë dhe është përgjigje ndaj sfidave të brezit të ri për të ndërtuar të ardhmen e vendit mbështetur në vlerat europiane.