RTSH 24 Live

Coronavirus

“Omicron” do t’i gjejë vetë të pavaksinuarit

15/01/2022

“Omicron” do t’i gjejë vetë të pavaksinuarit

Varianti “Omicron” do t’i gjejë vetë të pavaksinuarit pasi shpejtësia me të cilën ai përhapet është 10 herë më i lartë se varianti aktual “Delta”.  
Në Shqipëri ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik mendojnë se varianti mbizotërues në qarkullim i COVID-19 është ende ai “Delta”, por prof. Mira Rakacolli thotë se me shpejtësinë që e karakterizon variantin “Omicron”, brenda pak ditësh mbizotërues do të jetë ai dhe në këtë situatë të pavaksinuarit do të sëmuren. “Është thënë që në fillim, që kur u kuptua se varianti “Omicron” ka një infektueshmëri më të lartë si dhe ka edhe mutacione, gjë që e bën vaksinën jo krejtësisht efikase për t’u mbrojtur nga infeksioni.Ndërkohë po provohet çdo ditë që është efikase karshi mbrojtjes nga format e rënda, nga hospitalizimet, nga humbjet e jetës dhe është e qartë sidomos që personat e pavaksinuar e kanë mundësinë shumë të madhe që të sëmuren nga “Omicron”.  Në momentin që ky variant hyri në qarkullim edhe Dr.Fauçi tha: “ Të gjithë ata që janë të pavaksinaur, “Omicron” do t’i gjejë vetë”.  Edhe në Shqipëri parashikohet rritje e infektimeve nga ky variant .Pamvarësisht se specialistët e ISHP-së mendojnë se mbizotërues është ende variant “Delta”, shpeshtësia e përhapjes së variantit “Omicron” është e tillë që do të bëhet mbizotërues në infektime brenda pak ditësh” – tha Rakacolli.

Në një intervistë për RTSH znj.Rakacolli spjegon se veçori për Shqipërinë janë infektimet e reja ditore, që po prekin shumë moshat e reja e për fat të keq edhe fatalitetet prej dy javësh po shënohen tek grupmoshat aktive për punë. “90% e të shtruarve  në spital janë të pavaksinuar dhe mbi 50% e tyre janë mosha të reja.Për fat të keq fatalitetet po shënohen çdo ditë tek moshat aktive për punë 40-60 vjeç dhe kjo e bën më të fortë nevojën për të frenuar sëmundshmërinë përmes armës së vetme që kemi në dispozicion që është vaksinimi”- tha Rakacolli.

Vala e infektimeve mund të ngarkojë edhe sistemin spitalor dhe kjo mund të ndikojë edhe tek stafet mjekësore në dispozicion.  Prof. Rakacolli thotë se nga “Omicron” nuk duhet patur frikë, por kujdes dhe vaksinimi është mjeti i vetëm.