RTSH 24 Live

Libra

“Mbyllur për pushime” romani i ri Stefan Çapalikut

24/04/2021

“Mbyllur për pushime” romani i ri Stefan Çapalikut

“Mbyllur për pushime” titullohet romani që promovoi këtë të shtunë autori dhe regjisori Stefan Çapaliku. Në këtë roman Çapaliku sjell në vëmendje një periudhë shumë dinamike të Shqipërisë, e cila përkon me shtatorin e vitit 1943 dhe nëntorin e vitit 1944, që përkon edhe me periudhën e çlirimit. 
“Origjina ka qenë gjithmonë një pyetje që më ka lindur gjithmonë, kur dëgjoja herë pas here formulën si iku Ernest Koliqi në Romë? Iku me kolonën e fundit Gjermane. I kam bërë gjithmonë pyetje vetes se çfarë ka qenë kjo kolona e fundit gjermane, por s’kam ditur asnjëherë me i dhënë përgjigje. Derisa më bien në dorë ditari i pabotuar i Karl Gurakuqit, i cili është pikërisht për kolonën e fundit gjermane.Unë kam dashur të dal në një breg tjetër të lumit, për ta parë historinë në një tjetër këndvështrim" thotë Çapaliku.
Ngjarjet e këtij romani zhvillohen në 3 qytete kryesore, në Beograd, në Tiranë dhe në Shkodër. Ndërkohë, autori pohon se personazhet janë të gjithë të vërtetë. Por, këtë radhë autori ka vendosur të vijë me një rrëfim jo shumë të ngjeshur, në mënyrë që të përtypet lehtë nga lexuesi. Kjo, sipas Çapalikut, vjen nga eksperienca që ai ka patur nga Teatri, që ta mbajë lexuesin të gozhduar, pa përsiatje.
"Më interesojnë fatet njerëzore që e kanë jetuar epokën në një kontekst të gabuar. Nëse ka një mision romani, është pikërisht ky, një refreshment, një restart që mund t’i bëhet sistemit tonë të kujtesës në mënyrë që të ndihemi mirë" thotë shkrimtari.
Ndërkohë, Çapaliku shprehet edhe për  funksionin që kishte klasa intelektuale e asaj kohe.
“Klasa intelektuale ishte mobilizuar e gjitha ta shpëtonte vendin. Problemi ishte që kjo Shqipëri e jona të shpëtonte nga kjo gjë me sa më pak dëme. Ka pasur një atdhedashuri të jashtëzakonshme” thotë ai.
Çepaliku shton gjithashtu se ky roman mund të pasohet nga një vëllim i dytë.